AFATET DHE KUSHTET E PËRGJITHSHME
për lëshimin dhe përdorimin e kartelës Mastercard Prepaid lëshuar nga “Unioni Financiar Prishtinë”
.I DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Këto afate dhe kushte të përgjithshme përmbajnë të drejtat dhe obligimet e Unioni Financiar Prishtinë (më poshtë e emërtuar si ”Lëshuesi”) dhe klientit (më poshtë i emërtuar si “Mbajtësi i Kartelës”) sa i përket lëshimit të kartelës Mastercard Prepaid (më poshtë e cituar si “Mastercard Prepaid”).
Afatet dhe Kushtet e Përgjithshme aplikohen në mes të palëve që nga dita e aplikimit për kartelën Mastercard Prepaid.
1. Unioni Financiar Prishtinë ua lëshon kartelën Mastercard Prepaid, individëve pasi të plotësojnë aplikacionin për lëshimin e kartelës Mastercard Prepaid.
2. Kartela Mastercard Prepaid i mundëson Mbajtësit i Kartelës të ketë qasje në kartelën e tij të fondeve për të cilën lëshohet kartela Mastercard Prepaid, duke përdorur numrin personal te identifikimit (PIN Kodi).
3. Kartela Mastercard Prepaid është pronë e Lëshuesit dhe do të mbetet e tillë gjatë gjithë kohës.
4. Kartela Mastercard Prepaid mund të përdoret për transaksione në Kosovë dhe jashtë saj, në pajtim me legjislacionin e Kosovës dhe rregullat e MASTERCARD.
5. Me rastin e paraqitjes të aplikacionit për aplikimin për kartelë Mastercard Prepaid, ajo, pas procesit të verifikimit të Mbajtësit të Kartelës dërgohet për personalizim.
6. Mbajtësi i Kartelës paguan të gjitha tarifat në pajtim me listën e tarifave të Lëshuesit. Të gjitha tarifat, ndalesat dhe shpenzimet tjera që vijnë si rezultat i përdorimit të kartelës Mastercard Prepaid zbriten nga fondet e klientit.
7. Qasja në fondet të cilat gjendën në kartelë si instrument i ruajtjes së parasë elektronike mund të bëhet përmes të gjithë ATM-ve (makinave automatike për tërheqje të parave) dhe terminaleve POS (pikave të shitjes) për pagesë të mallrave dhe shërbimeve tek tregtarët që mbajnë logon Mastercard si dhe në faqe interneti online që pranojnë blerjet përmes Mastercard.
8. Duke përdorur kartelën Mastercard Prepaid, mund të tërhiqen shuma të parave të gatshme apo të paguhen mallra/shërbime nga fondet që klienti ka deponuar në kartelë dhe brenda limitit të caktuar në pajtim me Afatet dhe Kushtet e Përgjithshme dhe Tarifat e Lëshuesit.
9. Mbajtësi i Kartelës është përgjegjës për të siguruar se gjithmonë ka fonde të mjaftueshme në kartelë.
10. Kartela mund të rimbushet duke deponuar para të gatshme në sportelet e Agjencive UnionNet.
11. Lëshuesi cakton limitet dhe kushtet e transaksioneve që mund të bëhen përmes kartelës Mastercard Prepaid. Tarifat dhe limitet janë pjesë e kushteve të përgjithshme të kartelës. Ato bëhen të njohura përmes “Listës së Tarifave të kartelës Mastercard Prepaid”.
12. Në rast se kartela Mastercard Prepaid është humbur, vjedhur apo dëmtuar, Mbajtësi i Kartelës do të ketë mundësi të tërheq para në sportelet e Agjencive UnionNet ose të aplikojë për një kartelë të re.
13. Lëshuesi nuk përllogarit interes në fondet e kartelës së klientëve që kanë Mastercard Prepaid.
14. Nëse Lëshuesi nuk pranon ndonjë vërejtje brenda 30 ditëve pasi që është kryer transaksioni, aji i konsideron që të gjitha transaksionet e evidentuara si korrekte.
15. Nëse kartela Mastercard Prepaid përdoret në vendet që shfrytëzojnë tjetër monedhë nga Euro, do të aplikohet kursi i këmbimit i MASTERCARD.
16. Fondet e deponuara në kartelë do të jenë në dispozicion të Mbajtësit të Kartelës në të njëjtën ditë pune.
17. Kartela Mastercard Prepaid mund të anulohet duke u bazuar në Kërkesën me shkrim që Mbajtësi i Kartelës bën për anulimin e kartelës.
18. Nëse dyshohet për përdorim të pa autorizuar të kartelës, Mbajtësi i Kartelës mund të kërkojë nga Lëshuesi të bllokojë kartelën.
19. Mbajtësi i Kartelës është i obliguar ta informojë Lëshuesin pa u vonuar për çdo ndryshim në të dhënat e ofruara në Aplikacionin për lëshimin e kartelës Mastercard Prepaid.
II. KARTELA MASTERCARD PREPAID
20. Mbajtësi i Kartelës duhet të marrë kartelën e lëshuar dhe zarfin e mbyllur i cili përmban PIN kodin, më së largu brenda 3 (tre) muajve pasi të ketë paraqitur aplikacionin për kartelën Mastercard Prepaid. Nëse klienti nuk e merr kartelën brenda kësaj periudhe, vlefshmëria e kartelës do të ndërpritet automatikisht.
21. Nga Mbajtësi i Kartelës do të kërkohet që:
• Të nënshkruaj në shiritin për nënshkrim në pjesën e prapme të kartelës Mastercard Prepaid kur ta marrë atë në Agjencitë UnionNet;
• Të përdorë kartelën Mastercard Prepaid personalisht duke mos ia ofruar atë ndonjë personi dhe ta ruaj nga dëmtimet;
• PIN kodin duhet ta mbajë sekret, duke marrë të gjitha masat parandaluese që të mos bëhet i njohur për personat tjerë
22. Vlefshmëria e kartelës Mastercard Prepaid është 5 (pesë) vite dhe skadon në fund të muajit të vitit përkatës të dhënë në kartelë.
23. Kartela Mastercard Prepaid mund të vazhdohet pas skadimit, nëse Mbajtësi pajtohet dhe konfirmon që pranon një kartelë të re.
24. Mbajtësi do të njoftohet nga Lëshuesi përmes ndonjërës nga format e komunikimit së paku 1 (një) muaj para skadimit të kartelës që të ketë mundësinë e vazhdimit ose jo të saj.
25. Një transaksion me kartelën Mastercard Prepaid mund të bëhet nëse ka bilanc të mjaftueshëm në kartelën e Mbajtësit të Kartelës, nëse është nënshkruar apo nëse PIN kodi është shtypur në mënyrë korrekte .
26. Nëse Mbajtësi i Kartelës harron PIN kodin, ai/ajo mund të kërkojë PIN kodin e ri duke paguar tarifën sipas Afateve, Kushteve dhe Tarifave të Lëshuesit. Kjo tarifë, që vjen si rezultat i kërkimit të PIN kodit të ri të kartelës Mastercard Prepaid zbritet nga fondet e kartelës.
27. Përmes kartelës Mastercard Prepaid mund të kryhen këto transaksione:
27.1 Tërheqja e parave të gatshme:
• përmes terminaleve ATM, gjithmonë në valutën kombëtare të vendit ku bëhet transaksioni dhe në ndonjë valutë tjetër të ofruar nga Institucioni përkatës. Në rastin e kryerjes së një transaksioni në valutë të huaj duke përdorur kartelën Mastercard Prepaid, vlera e transaksionit do të konvertohet në Euro me kursin e këmbimit të sistemeve të pagesave MASTERCARD, ditën kur transaksioni përcillet nga këto sisteme tek Lëshuesi dhe gjithashtu do të aplikohen tarifat sipas Listës së Tarifave. Mbajtësi i Kartelës autorizon tërheqjen duke shtypur PIN kodin. Mbajtësi i Kartelës duhet të ruaj faturën e ofruar nga ATM për të verifikuar transaksionin në rast të ndonjë mosmarrëveshje. Shuma maksimumit të limitit në dispozicion për tërheqje varet nga ATM dhe limiti i kartelës.
• tërheqja e parave të gatshme përmes POS terminaleve të instaluar në zyrat e bankave ose zyrave të këmbimit, që kanë shenjën pranuese MASTERACRD. Shuma maksimale për tërheqjen është kufizuar për limitin e kartelës. Mbajtësi i Kartelës prezanton një kartelë identifikuese ose pasaportë dhe autorizon tërheqjen duke shtypur PIN kodin personal. Fatura e POS terminaleve duhet të mbahet nga Mbajtësi i Kartelës për referim të mëtutjeshëm dhe verifikim.
27.2 Pagesa e mallrave (shërbimeve) përmes terminaleve të pikave të shitjes, të instaluar tek tregtarët dhe faqeve online të Internetit që mbajnë logon Mastercard. Shuma maksimale e transaksionit varet nga limiti i kartelës. Pagesat mund të kryhen edhe me rreze – pa kontakt në pikat e shitjes POS ku pranohet ky lloj transaksioni. Ky transaksion realizohet pa dhënien e PIN kodit deri në një shumë të caktuar në nivel regjioni nga Mastercard. Faturat e pranuara nga terminalet e pikave të shitjes duhet të ruhen nga Mbajtësi i Kartelës për referim të mëtutjeshme ose verifikim.
27.3 Pagesa e mallrave (shërbimeve) përmes faqeve online të Internetit që mbajnë logon Mastercard. Shuma maksimale e transaksionit varet nga limiti i kartelës. Transaksioni realizohet pas konfirmimit me kodin tre shifror të paraqitur në pjesën e pasme të kartelës. Në tregtarët/faqet online që ofrojnë opsionin 3DSecure për verifikim shtesë të Mbajtësit të kartelës, do të dërgohet edhe një kod shtesë përmes SMS në telefonin e Mbajtësit të kartelës. Me dhënien e këtij kodi shtesë pagesa online realizohet në formë të sigurte; Faturat e pranuara nga pikat e shitjes përmes faqeve online të Internetit duhet të ruhen nga Mbajtësi i Kartelës për referim të mëtutjeshme ose verifikim.
28. Mbajtësi i Kartelës me këtë rast jep pajtimin e parevokueshëm dhe autorizon Lëshuesin që të ngarkojë llogarinë e tij pa e njoftuar paraprakisht me të gjitha tarifat dhe provizionet relevante sipas Afateve dhe Kushteve të Përgjithshme dhe Tarifave të Lëshuesit të cilat lidhen me kërkesat e Mbajtësit të Kartelës.
29. Fondet e deponuara në kartelë janë pronë e Mbajtësit të kartelës dhe në çdo kohë mund të kërkojë kthimin e tyre. Lëshuesi, ka për obligim që në çdo moment me kërkesën e Mbajtësit të kartelës të bëjë kthimin e fondeve sipas gjendjes së bilancit të kartelës së tij. Mbajtësi mund të kërkojë kthimin e plotë ose të pjesërishëm të fondeve para përfundimit të kontratës së kartelës me parapagim.
30. Kthimi i fondeve të mbetura është objekt i aplikimit të tarifave të përcaktuara sipas listës së tarifave të kartelës në raste të caktuara si më poshtë:
• kur mbajtësi kërkon kthimin e fondeve para përfundimit të marrëveshjes së kartelës;
• kur mbajtësi kërkon kthimin e fondeve dhe mbylljen e marrëveshjes së kartelës para afatit të përcaktuar për mbyllje të marrëveshjes.
III. KARTELAT SHTESË MASTERCARD PREPAID
31. Me kërkesë të Mbajtësit të kartelës, Lëshuesi mund t’i jep kartelë shtesë Mastercard Prepaid personit të autorizuar sipas politikave dhe procedurave të Lëshuesit. Lëshimi dhe përdorimi i kartelës shtesë Mastercard Prepaid është përgjegjësi e plotë e Mbajtësit të kartelës kryesore.
32. Në rast se lëshohet kartelë shtesë për të njëjtin Mbajtës të kartelës, atëherë kjo marrëveshje, afatet dhe kushtet e përgjithshme si pjesë integrale të kësaj marrëveshje nënshkruhen edhe nga personi i tretë si mbajtës i kartelës shtesë.
33. Kartela Mastercard Prepaid mund të lëshohet në bazë të aplikacionit të kompletuar nga ana e Mbajtësit të llogarisë.
34. Të gjitha tarifat, ndalesat dhe shpenzimet tjera që vijnë si rezultat i përdorimit të kartelës Mastercard Prepaid zbriten nga kartela kryesore.
35. Të gjitha dispozitat tjera të Afateve dhe Kushteve të Përgjithshme aplikohen edhe për kartelën shtesë Mastercard Prepaid.
IV. BLLOKIMI, AKTIVIZIMI, DEAKTIVIZIMI
36. Nëse kartela Mastercard Prepaid është humbur, vjedhur, konfiskuar, dëmtuar ose keqpërdorur në ndonjë mënyrë, Mbajtësi i Kartelës duhet ta informoj Lëshuesin në numrin 038 222 444, në mënyrë që të bëhet bllokimi i kartelës.
Mbajtësi i Kartelës ose ndonjë person tjetër i autorizuar nga ai, duhet gjithashtu të parashtroj një kërkesë me shkrim për bllokimin e kartelës Mastercard Prepaid brenda 48 orëve pasi të ketë njoftuar Lëshuesin në telefonin: 038 222 444.
Nëse nuk veprohet në këtë mënyrë, atëherë Lëshuesi nuk është përgjegjës për transaksionet që do të bëhen përmes kartelës.
37. Kartela Mastercard Prepaid mund të bllokohet në njërën nga këto mënyra:
37. 1 Në mënyrë automatike nga ATM në rast se keni shtypur tri herë PIN kodin e gabuar;
37. 2 Pas pranimit të:
• njoftimit nga ana e Mbajtësit të Kartelës, të komunikuar me shkrim apo email se kartela Mastercard Prepaid është humbur, vjedhur, konfiskuar apo keqpërdorur.
• kërkesës me shkrim për të bllokuar kartelën Mastercard Prepaid të parashtruar nga Mbajtësi i kartelës apo ndonjë personi tjetër, i autorizuar nga ai.
37.3 Nga ana e Lëshuesit nëse:
• Mbajtësi i Kartelës nuk vepron në pajtim me Afatet dhe Kushtet e Përgjithshme;
• Lëshuesi pranon një urdhër kufizimi për kartelën e Mbajtësit të Kartelës.
• Ekziston dyshimi se të dhënat e kartelës mund të jenë keqpërdorur ose kopjuar.
38. Lëshuesi ka të drejtë të bllokojë dhe/ose të kërkojë që kartela Mastercard Prepaid t’i kthehet Lëshuesit në çdo kohë. Për çdo përdorim të kartelës para se ajo t’i kthehet Lëshuesit, vlejnë kushtet e njëjta.
39. Kartela e bllokuar Mastercard Prepaid mund të aktivizohet duke u bazuar në aplikacionin me shkrim të parashtruar nga Mbajtësi i Kartelës për aktivizimin e kartelës në rast se: kartela raportohet se është humbur, apo kur në ATM shtypen tre PIN kode gabim në vazhdimësi dhe kartela bllokohet përkohësisht si masë ndëshkuese për mosrespektimin e Afateve dhe Kushteve të përgjithshme nga ana e Mbajtësit të Kartelës.
40. Kartela Mastercard Prepaid mund të çaktivizohet për këto arsye:
• ndërprerja e vlefshmërisë së kartelës Mastercard Prepaid;
• Mbajtësi i Kartelës nuk e ka marrë kartelën brenda tre muajve pasi ajo është lëshuar;
• lëshimi i një kartele të re Mastercard Prepaid e cila zëvendëson kartelën aktuale Mastercard Prepaid;
• kthimi i kartelës së re Mastercard Prepaid me të dhëna të shtypura gabimisht ose gabime/dëmtime tjera.
41. Kartela Mastercard Prepaid e çaktivizuar nuk mund të riaktivizohet ajo duhet të asgjësohet.
V. PËRGJEGJËSITË
42. Pasi të pranojë kartelën Mastercard Prepaid dhe zarfin që përmban PIN kodin, Mbajtësi i Kartelës është përgjegjës për të gjitha veprimet që vijnë si rezultat i përdorimit të kartelës Mastercard Prepaid.
43. Lëshuesi nuk është përgjegjës për transaksionet e kryera përmes kartelës Mastercard Prepaid e cila është humbur, konfiskuar apo keqpërdorur para se të njoftohet nga ana e Mbajtësit të Kartelës ose ndonjë personi tjetër të autorizuar si dhe 12 orë pasi të ketë pranuar njoftimin.
44. Lëshuesi nuk është përgjegjës nëse njoftimi me shkrim apo përmes telefonit, i bërë nga personi i tretë që raporton për vjedhje, konfiskim apo keqpërdorim të kartelës Mastercard Prepaid, është i pavërtetë ose mashtrues, dhe nëse Lëshuesi merr masat e nevojshme për të bllokuar kartelën Mastercard Prepaid në bazë të një njoftimi të tillë.
45. Lëshuesi nuk është përgjegjës nëse tregtari apo ndonjë organizatë e tregtarëve refuzon të pranojë kartelën Mastercard Prepaid për të paguar mallra apo shërbime.
46. Lëshuesi nuk është përgjegjës për transaksionet e kryera përmes kartelës Mastercard Prepaid. Kjo përfshin të gjitha ankesat dhe kërkesat e mundshme për mallrat dhe shërbimet e paguara, si dhe mosmarrëveshjet e ngjashme që duhet të zgjidhen drejtpërdrejt me palën e kundërt.
47. Lëshuesi nuk është përgjegjës në rast se Mbajtësi i Kartelës nuk ka mundësi të kryej transaksion përmes kartelës Mastercard Prepaid, për shkak se Mastercard nuk pranon të autorizojë transaksionin.
VI. NDËRPRERJA E VLEFSHMËRISË SË KARTELËS MASTERCARD PREPAID
48. Vlefshmëria e kartelës Mastercard Prepaid ndërprehet në këto raste:
• Nëse skadon afati i kartelës Mastercard Prepaid dhe nëse Mbajtësi i Kartelës dorëzon kërkesën me shkrim për mos vazhdimin e saj një muaj para se t’i skadojë afati kartelës Mastercard Prepaid;
• Në mënyrë të njëanshme nga ana e Lëshuesit nëse bëhet shkelja e Afateve dhe Kushteve të Përgjithshme me ç’rast ndërprerja e vlefshmërisë hyn në fuqi menjëherë;
• Në mënyrë të njëanshme nga Mbajtësi i Kartelës me paralajmërim njëditor dhe kthim të Kartelës Mastercard Prepaid;
• Në mënyrë automatike nga Lëshuesi nëse Mbajtësi i Kartelës nuk e ka marrë kartelën Mastercard Prepaid brenda tre muajve pasi është paraqitur aplikacioni.
VII.KUSHTET TJERA
49. Akti i shtypjes së PIN kodit në ATM apo Pika të Shitjes (POS) ka efektin dhe fuqinë juridike të nënshkrimit.
50. Për ndonjë rast i cili nuk është përfshirë në mënyrë të specifike në Afatet dhe Kushtet e Përgjithshme, duhet të aplikohen Kushtet e Përgjithshme të Biznesit të Lëshuesit (Politikat dhe Procedurat).
51. Lëshuesi ka të drejtë t’i ndryshojë në mënyrë të njëanshme këto Afate dhe Kushte të Përgjithshme, Kushtet e Përgjithshme të Biznesit dhe për këtë ta njoftoj Mbajtësin e Kartelës përmes kanaleve të njoftimit. Versioni i ri i Afateve dhe Kushteve të Përgjithshme do të jetë i vlefshëm dhe obligues për Mbajtësin e kartelës.